Raporti i Ambasada e pare femijerore ne bote Megjashit Vazhdojnë të dhunohen, por heshtin
Në shkollë, fëmijët vazhdojnë të durojnë dhunën psikike dhe fizike nga ana e mësimdhënësve dhe nxënësve të tjerë, ndërsa në familje - vazhdojnë të rrihen dhe keqtrajtohen nga prindërit. Janë këto konstatimet e Ambasadës së parë të fëmijëve "Megjashi", të cilat bazohen në rastet që janë denoncuar vitin e kaluar në linjën SOS 0800-12222
Ilir IVANOVSKI
Shkup, 7 shkurt - Fëmijët vazhdojnë të heshtin dhe kanë frikë ta denoncojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre në forma të ndryshme. Ndërkaq, ato janë më të pasigurt në shkolla dhe në familje. Në shkollë, ata vazhdojnë të durojnë dhunën psikike dhe fizike nga ana e mësimdhënësve dhe nxënësve të tjerë, ndërsa në familje - vazhdojnë të rrihen dhe keqtrajtohen nga prindërit. Janë këto konstatimet e Ambasadës së parë të fëmijëve "Megjashi", të cilat bazohen në rastet që janë denoncuar vitin e kaluar në linjën SOS 0800-12222, që kanë të bëjnë me dhunën që është ushtruar ndaj fëmijëve vitin 2011. Sipas të dhënave të "Megjashit", që janë prezantuar në raportin për vitin e kaluar, të njëjtin vit - në linjën telefonike falas janë pranuar 235 thirrje. Po kaq persona kanë paraqitur 477 raste në të cilat fëmijët kanë qenë të prekur me format e ndryshme të dhunës ose atyre u janë shkelur të drejtat elementare. Megjithatë, duhet theksuar se një numër shumë i vogël i rasteve janë denoncuar nga ana e vet fëmijëve viktima ose nga fëmijë të tjerë që kanë tentuar të ndihmojnë shokun, vëllain, motrën ose ndonjë fëmijë tjetër. "Vitin e kaluar ka vazhduar trendi i denoncimit të rasteve të dhunës që ushtrohet mbi fëmijët nga ana e të rriturve. Megjithëse linja SOS 0800-12222 është hapur për fëmijët dhe të rinjtë, vitin e kaluar në këtë numër nga ana e fëmijëve janë paraqitur vetëm 15 raste, që tregon se të miturit vazhdojnë të heshtin dhe frikësohen ta denoncojnë dhunën që ushtrohet ndaj tyre. Ndoshta gjendja e tillë ka të bëjë me varësinë e fëmijëve nga ana e prindërve dhe me keqpërdorimin e detyrës nga ana e arsimtarëve dhe edukatorëve. Megjithatë, nuk duhet harruar se frika e fëmijëve për ta denoncuar dhunën ka lidhje të ngushtë me mosbesimin që e kanë tek institucionet që kanë për detyrë t'i mbrojnë nga të gjitha format e dhunës", tha Dragi Zmijanac, kryetari i ambasadës së parë të fëmijëve "Megjashi" gjatë prezantimit të raportit vjetor mbi punë i linjës SOS. Prezantimi i raportit të vitit të kaluar është shoqëruar me përshkrimin e dy rasteve të rënda, gjatë të cilave fëmijët janë keqtrajtuar në familje, nga ana e prindërve të tyre. Në njërin rast, punonjësit e "Megjshit" kanë përshkruar rrahjen e një vaze, e cila shpëtimin e ka kërkuar me fshehjen në kishë. Sipas rrëfimit të vet fëmijës, ajo nga ana e prindërve, përveç shuplakave është goditur edhe me një çekan. Ndërkaq, në rastin tjetër, një gjyshe që vite me radhë ka qenë dëshmitare e dhunës që kanë ushtruar mbi nipërit prindërit e tyre, para vdekjes ka vendosur të flas, për t'i shpëtuar nipërit. Pas shumë vitesh heshtje, ajo vitin e kaluar ka marrë guximin dhe është paraqitur në numrin 0800-12222. Analizat e rasteve që janë paraqitur në telefonin falas vitin e kaluar tregojnë se fëmijët zakonisht e denoncojnë dhunën fizike që e durojnë brenda familjes. Sipas të dhënave të "Megjashit", vitin e kaluar, 84 fëmijë kanë qenë viktima të dhunës në familje. Përveç tyre, 86 fëmijë të tjerë kanë duruar format e ndryshme të dhunës në shkollën ku kanë mësuar, ndërsa po kaq fëmijë nuk e kanë fituar kujdesin e duhur nga ana e institucioneve.
|